Letra drejtuar Romakëve 3:25
Vendshlyerje - Emri grek ἱλαστήριον [|ilasthrion] (jo ἱλασμός [|ilasmos]“shlyerje pajtuese”) përdoret te LXX (Septuaginta) si përkthim i termit hebraik כַּפֺּרֶת[kapporet], i cili i referohej kapakut prej ari me dy kerubinët që ishte i vendosur mbi Arkën e Besëlidhjes (krh. Eks 25:17-22) dhe ku ishte prania e Jahveh-ut e ku bëhej shlyerja për mëkatet e popullit (Lev 16:2, 13-15). Emri hebraik lidhet me foljen כפר [kafar] “mbuloj”, por në varësi të objektit, folja merr kuptimin “shlyej” apo “pajtoj/qetësoj” (shih BDB, HALOT, CDCH). Kështu, כַּפֺּרֶת [kapporet] merr kuptimin e vendit ku bëhet shlyerja për mëkatet apo e vendit ku bëhet pajtimi/qetësimi i Jahveh-ut. Emri ἱλαστήριον [|ilasthrion], me të cilin e përkthen gjithandej në greqisht LXX (Septuaginta), me përjashtim të 1 Kr 28:11, ku përdoret ἱλασμός [|ilasmos], sipas BDAG, shfaqet “në literaturën greko-romake për të treguar diçka që shërben si mjet për të rifituar mirëdashjen e një hyjnie; konkretisht një ‘mjet pajtimi apo shlyerjeje, dhuratë për të siguruar shlyerje’”. Po ashtu Thayer’s Lexicon: “Forma asnjanëse tov ἱλαστήριον [|ilasthrion], e përdorur si emër, mjet qetësimi apo shlyerjeje, pajtim (gjermanisht Versöhnungs- oder Sühnmittel)”. Vulgata latine e ka dhënë përmes emrit “propitiatorium”, duke theksuar aspektin e pajtimit/qetësimit, megjithëse nënkupton edhe atë të shlyerjes së mëkateve, pa të cilën pajtimi/qetësimi i Perëndisë është i pamundur. Përmes Vulgatës ka kaluar në përkthimet anglisht si “the propitiatory”, në italisht “propiziatorio” dhe përmes tyre në shqip “pajtimore” (DSF, Sb), “pajtues” (LIM, ABS). Ndërsa Kristoforidhi e ka përkthyer te Eksodi si “shpërblimtore”. Në BR, emri ἱλαστήριον [|ilasthrion] shfaqet dy herë, këtu dhe te Heb 9:5. Në këtë të fundit, emri i referohet specifikisht kapakut të Arkës së Besëlidhjes dhe është dhënë nga Vulgata me “propitiatorium”. Përkundër, në anglisht, duke filluar me përkthimin e Tyndale është dhënë masivisht si “mercy seat” (ndryshe NAB “place of expiation”; NIV “atonement cover”; NLT “place of atonement”), dhe përmes KJV është dhënë në shqip nga Kristoforidhi si “vendit përdëllyeshim” (ndryshe nga përkthimi që ka dhënë te Eksodi). Përkthimet në shqip kanë mbajtur këtu “pajtimore” (LIM “pajtuesi”; Át Daniel Gjeçaj, Testamendi i Rí “paqtuesi”; Meksi-Gjirokastriti nuk e përkthen fare). Megjithëse duke i konsideruar si të pranueshëm këto përkthime, një përkthim më i përshtatshëm është menduar të jetë “vendshlyerje”, sepse theksi i termit hebraik është te “mbulimi” i mëkatit dhe si rrjedhim “shlyerja” që bëhet për mëkatet e jo “pajtimi” i Perëndisë, edhe pse “shlyerja” mundëson dhe ka si qëllim “pajtimin”. Kjo shprehet në faktin se në ditën e vetme të vitit, kur kryeprifti hynte për të spërkatur me gjak këtë vend (Heb 9:6), ai “bënte shlyerjen” (כִפֶּר[kipper]) për mëkatet e veta dhe të popullit (Lev 16:15-16, 34). Për këtë arsye kjo ditë quhet edhe יוֹם כִּפֻּרִים [jom kipurim] “dita e shlyerjes” (Lev 23:27). Duke ardhur te përdorimi i emrit te Rom 3:25, ka qëndrime të ndryshme në lidhje me kuptimin specifik me të cilin e ka përdorur Pali emrin ἱλαστήριον [|ilasthrion] në referim të Jezusit. Para përkthyesve dhe komentuesve paraqiten 3 mundësi. 1) Ngjashëm si te Heb 9:6, emri mund të jetë përdorur në kuptimin “vend pajtimi”, “pajtimore” apo “vendshlyerje”, si referim për mbulesën mbi Arkën e Besëlidhjes (shih BDAG 2; kështu në angl. Darby, NET, Young, LEB, ndërsa disa versione e vënë me shënim si mundësi; në shqip ABS). 2) Emri mund të jetë përdorur në kuptimin “pajtim” ose “fli pajtuese”, “fli pajtimi”, “fli shlyrëse”, duke iu referuar aktit me të cilin pajtohet zemërimi i Perëndisë ndaj mëkatit (kështu angl. HCSB, ESV, KJV/NKJV, NASB, LSB; në shqip Sb, DSF). 3) Emri mund të jetë përdorur në kuptimin “shlyerje”, “fli shlyerjeje” apo “mjet shlyerjeje” (BDAG 1; Louw-Nida 40.12; kështu angl. NAB, NIV, RSV/NRSV, NJB “sacrifice for reconciliation”; në shqip LIM, ZiZ, Kristoforidhi “shpërblim”, Dervishi “shpërblesë”, Meksi-Gjirokastriti “illasmo (ndëjesë)”; Át Daniel Gjeçaj, Testamendi i Rí“mjet shpërblimi”). Për të tre variantet jepen arsye për t’i mbështetur, dhe nuk ka diçka përfundimtare (në lidhje me argumentet dhe arsyetimet pas këtyre interpretimeve, shih J. M. Gundry-Volf, “Expiation, Propitiation, Mercy Seat”, Dictionary of Paul and His Letters. editorë Gerald F. Hawthorne, Ralph P. Martin, and Daniel G. Reid. [Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1993], f. 279-284). Bibla PRO, megjithëse duke pranuar vlefshmërinë e këtyre varianteve dhe i ka paraqitur me shënim, në pamundësi për ta dhënë me një fjalë apo ndërtim më gjithpërfshirës (si në rastin e termit të afërt me të ἱλασμός [|ilasmos] te 1 Gjn 2:2; 4:10) e ka parë më me vend mundësinë e parë “vendshlyerje”. Pra, Krishti është “vendshlyerja” e vërtetë e spërkatur me gjakun e tij dhe tek i cili mund të hyhet tashmë lirisht nëpërmjet besimit.