Përkthimi besnik dhe i mirë, mbi të gjitha përkthimi i Shkrimit të Shenjtë, kërkon jo vetëm studimin dhe njohjen e thelluar të fjalës në gjuhën burimore, por edhe studimin, njohjen dhe përzgjedhjen e vëmendshme dhe shumë të kujdesshme të fjalëve si njësi leksiko-semantike të gjuhës shqipe, për të ruajtur dhe tejçuar besnikërisht kuptimin nga teksti origjinal në gjuhën e sotme shqipe.
Kjo trajtesë, si pjesë e paraqitjes së punës për përkthimin Bibla PRO, përpiqet të theksojë rëndësinë dhe vlerën e jashtëzakonshme të punës me fjalën përmes lëvrimit të leksikut të shqipes, pra, hulumtimit të fondit të fjalëve që mund të shërbejnë si përkuese me fjalët e tekstit origjinal, dhe çon në përzgjedhjen e tyre me kujdes e vëmendje për t’i përcjellë sa më besnikërisht dhe në mënyrë të përpiktë në gjuhën shqipe. Në përkthimin Bibla PRO, kjo po bëhet duke ndjekur disa qasje e parime pune me leksikun e gjuhëve përkatëse, e në mënyrë të veçantë atë të shqipes.
Së pari, për të patur saktësi, besnikëri, qartësi dhe natyrshmëri sa më të lartë në përzgjedhjen e fjalës, po i qasemi lëvrimit të thesarit të gjallë leksikor të shqipes, duke shfrytëzuar mjetet teknike dhe burimet e ndryshme sa më të larmishme për t’i parë me kujdes të gjitha mundësitë që na siguron ky fond gjuhësor. Këtu përfshihet hulumtimi i sinonimisë dhe studimi i fjalëve jo vetëm si njësi më vete, por edhe në shoqërimet e tyre të mundshme për të pikasur edhe ngjyrimet më të holla semantike te një fjalë apo një tjetër. Kjo u krijon mundësinë përkthyesve dhe redaktuesve të zgjedhin mes mundësive të ndryshme njësinë e përshtatshme leksikore, që përfaqëson më së miri atë në tekstin origjinal. Këtu do të paraqiten disa shembuj për të ilustruar punën me fjalën dhe me sjelljen e saj sa më besnikërisht dhe saktësisht në gjuhën shqipe, duke e shfrytëzuar sa më mirë këtë pasuri leksikore të shqipes.
Një ndër rastet që e shfaqin më së miri këtë qasje është te Zanafilla 1:30:
“Dhe çdo bishe të tokës dhe çdo shpendi të qiejve, dhe çdo gjëje që zvarritet mbi tokë, që ka në të frymim jete, i jap çdo gjelbërim bimësie për ushqim”.
Fjala “frymim” është përzgjedhur pas një shqyrtimi të kujdesshëm të kuptimit të fjalës נֶפֶשׁ [nephesh/nefesh] në hebraisht, e cila përdoret në kontekstin e kapitujve të parë të Zanafillës si për kafshët, ashtu edhe për njeriun, dhe ka kuptimin “frymë, frymëmarrje, qenie e gjallë, jetë apo gjallëri jete”. U vërejt se duhej shmangur keqkuptimi me fjalën “frymë”, e cila, edhe pse e ka kuptimin e jetës dhe të të qenit i gjallë, në shqip ka një gamë të gjerë semantike dhe mund të krijojë mundësi për t’u ngatërruar sa u takon nënkuptimeve teologjike që bart kjo fjalë. Në të njëjtën kohë, u shmang edhe përdorimi i fjalës “frymëmarrje”, pasi ajo përkon më së miri me një fjalë tjetër në hebraisht, נְשָׁמָה [n=v*m*h], e cila përdoret te Zanafilla 2:7, ku lexojmë: “Dhe Jahveh-u Perëndi formoi njeriun me pluhur nga dheu dhe i fryu në flegrat e hundës frymëmarrje jete, dhe njeriu u bë qenie e gjallë”. E për këtë arsye është përzgjedhur “frymim”,që vjen nga folja “frymoj”, e cila ka si kuptim parësor leksikografik “marr frymë, jetoj”. Kjo e sjell qartë kuptimin e synuar dhe nuk lë vend për keqkuptim apo pështjellim termash, pasi përcjell idenë e çdo gjëje që ka jetë fizike (biologjike) në vetvete, sidomos në rastin e kafshëve të përmendura në vargun e mësipërm. Qartësisht, lëvrimi i leksikut të shqipes del si detyrë madhore e përkthyesve dhe redaktuesve të përkthimit Bibla PRO.
Një rast tjetër veçohet te Zanafilla 2:18, ku lexojmë: “… do t’i bëj atij një ndihmës që i përputhet”. Këtu, kuptimi i fjalës נֶגֶד [n#g#d] është “përballë, para syve të, përkundrejt, dhe që i përkon”, dhe në përkthime të ndryshme është sjellë si “që i leverdis”, “që të jetë e përshtatshme për të”, “si veten e tij”. Në përkthimin Bibla PRO, pas hulumtimit të fondit leksikor me anë të mjeteve teknike dhe pas shqyrtimit të vëmendshëm të mundësive, kjo fjalë është sjellë me “që i përputhet”, duke u përafruar sa më shumë me kuptimin e parë dhe kontekstual të fjalës.
Po ashtu, një shembull tjetër tregues është edhe te Zanafilla 3:15:
“Dhe armiqësi do të shtie ndërmjet teje dhe ndërmjet gruas, dhe ndërmjet farës sate dhe farës së saj; ajo farë do të të godasë kokën dhe ti do t’i godasësh thembrën”.
Këtu, përdorimi i foljes “godas” vjen pas një shqyrtimi të kuptimit të fjalës në tekstin origjinal dhe mundësive të ndryshme në leksikun e gjuhës shqipe. Vështirësia qëndron në faktin se shumë studiues vërejnë se folja në të dyja rastet është identike, e rrjedhimisht, për të qenë besnik ndaj tekstit, duhej gjetur një folje që shkon semantikisht me të dy kundrinorët, edhe “kokën” edhe “thembrën”, por pa kaluar në interpretime të paqena. Në përkthime të ndryshme mund të vërejmë variante, si “shtyp kokën” dhe “plagos thembrën”, “shtyp kokën” dhe “kafshon thembrën”, por në përkthimin Bibla PRO u synua të sillej me të njëjtën folje në të dyja rastet. Këtu futet në veprim lëvrimi i leksikut të shqipes me gamën e gjerë dhe të nevojshme të fjalëve. Duke qenë se folja “shtyp” nuk shkonte me të dy kundrinorët, pasi nuk mund të thuhet “shtyp thembrën”, u pa si mundësi më e mirë përdorimi i foljes “godas”, e cila e jep saktësisht kuptimin, duke u ruajtur nga përcjellja e ngjyrimeve specifike, që mund të mos jenë aty fare.
Në modelin e paraqitur nga Bibla PRO si shembull i punës përkthimore e redaktuese, tek Letra e Parë e Gjonit kemi disa raste të tjera, të cilat mund të veçohen për të vënë në pah qasjen e punës me fondin e gjallë leksikor të gjuhës shqipe. Një shembull i tillë gjendet te 2:1 ku lexojmë:
“Fëmijët e mi, këto po jua shkruaj me qëllim që të mos mëkatoni. E po të mëkatojë dikush, kemi një mbrojtës tek Ati, Jezu Krishtin, të drejtin”.
Fjala παράκλητος [paraklhtos] që përdoret edhe këtu, edhe tek Ungjilli i Gjonit, ka një fushë të gjerë semantike dhe paraqet vështirësi të veçantë trajtimi dhe përkthimi. Ajo mund të përkthehet “ndihmës”, “këshillues”, “nxitës”, “zemër-dhënës”, apo “mbrojtës/avokat”. Në përkthime të caktuara, ajo është përkthyer “avokat”, “një që ndërhyn”, por në kontekstin specifik të kësaj letre, me përpjekjen për ta ruajtur natyrën, veçantinë dhe gjerësinë semantike të fjalës dhe për ta sjellë sa më shqip, është përzgjedhur fjala “mbrojtës”. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, nën njësinë “mbrojtës”, përkufizimi i fjalës vjen si “ai që mbron dikë a diçka; ai që i del zot dikujt a diçkaje; përkrahës”, e prandaj kjo shërben më së miri për të përcjellë kuptimin e fjalës në shqip. Ndërsa tek Ungjilli i Gjonit, ku fjala παράκλητος [paraklhtos] ka një përdorim më gjithëpërfshirës në përcaktimin e cilësive dhe funksionit të Frymës së Shenjtë, është përdorur “përkrahës”. Sipas leksikonëve dhe fjalorëve më të njohur të greqishtes biblike, kjo fjalë përfshin mbrojtjen, kujdesin, ngushëllimin, ndërhyrjen apo ndihmën për të mirën e personit, dhe si e tillë, gjykojmë që në këtë kontekst përkthimi më i saktë është “përkrahës”.
Qartësisht, puna e përkthimit është e lidhur pandashmërisht me lëvrimin e leksikut të shqipes, dhe kërkon mund e përpjekje të qëllimshme për të studiuar, njohur e përdorur fondin e gjallë të fjalëve të shqipes, për të plotësuar nevojat e veçanta të sjelljes së fjalëve nga tekstet burimore me saktësinë më të lartë dhe ngjyrimet më të holla të mundshme kuptimore. Kjo qasje, ndër të tjera, është në zemrën e punës me fjalën në përkthimin Bibla PRO, me qëllim që Bibla të vijë sa më besnikërisht ndaj tekstit burimor, por edhe sa më e kulluar dhe e natyrshme në gjuhën shqipe.