Për të kuptuar më qartë disa aspekte përkthimore të interlinearit, po parashtrojmë në vijim ndonjë çështje të rrafshit leksikor dhe morfologjik.
Për sa i përket korrespondencës leksikore, përkthimi i një fjale përcaktohet nga përparësia e synuar: kuptimi leksikor i fjalës apo kuptimi kontekstual i saj. Në përkthimin që ofron PRO, është synuar që sa më shumë të jetë e mundur të përdoret e njëjta fjalë shqip për një fjalë korresponduese në origjinal, me qëllim që lexuesi të jetë i ndërgjegjshëm për shpeshtësinë e përdorimit të fjalës në çdo rast ku ajo shfaqet. Megjithatë, nuk i është dhënë përparësi kuptimit të parmë të fjalës në mënyrë thjesht mekanike, por kuptimit të saktë që i korrespondon në shqip një fjale apo një shprehjeje në kontekstin ku përdoret. Për shembull, Gjoni përdor shpesh në Letrën e tij të Parë emrin τεκνίον [teknion] (2:1, 12, 28 etj.) që është diminutivi i τέκνον [teknon] “fëmijë”. Emri τεκνίον [teknion] do të thotë “fëmijë i vogël” dhe përdorej si term afeksioni me anë të të cilit mësuesi u drejtohej studentëve të tij. Jezusi e përdor këtë term për dishepujt (Gjoni 13:33), e ndoshta edhe Pali në një rast (Gal. 4:19, nëse varianti i TR është origjinal). Problemi është se në shqip ky përcaktim nuk përdoret për të rriturit, përveçse në një kuptim përçmues. Prandaj, përkthimi “fëmijë të vegjël”, edhe pse i saktë gramatikisht, është i papërshtatshëm semantikisht. Si rrjedhim, është preferuar që ky emër të jepet thjesht me “fëmijë”, edhe pse nuk dallon nga τέκνον [teknon].
Një shembull tjetër është përkthimi i emrit gr. ψυχή [psuch], apo atij korrespondues heb. נֶפֶשׁ [n#p#v]. Të dy janë terma shumë kompleks, me një fushë të gjerë kuptimore. Përgjithësisht këta terma i referohen individit si “qenie”, por edhe aspektit të brendshëm të individit, në kuptimin shqip “shpirt”, apo edhe jetës së vetë individit. Si rrjedhim, konteksti është përcaktues për kuptimin dhe përkthimin e saktë të tyre. Kështu, emri heb. נֶפֶשׁ [n#p#v] përdoret te Zan. 1-2 qoftë për kafshët e qoftë për njeriun, me kuptimin “qenie” në ndërtimin נֶפֶשׁ חַיָה [n#p#š j^yy*h] “qenie e gjallë”. Një përkthim si “shpirt i gjallë” do të ishte i gabuar.
Po ashtu edhe emri gr. ψυχή [psuch], te 1 Gjon. 3:16 nuk mund të jepet me “shpirt”, por me “jetë”. Kjo jo vetëm sepse kuptimi “shpirt” është absurd në atë kontekst, por edhe sepse ψυχή [psuch] ka, gjithashtu, kuptimin “jetë”, si jeta e personalizuar tek individi, si “vetvetja”, në dallim nga “jeta” si koncept i përgjithshëm, për të cilin greqishtja përdor emrin ζωη [zōē].
Për sa i përket korrespondencës morfologjike, çështjet e përkthimit janë edhe më komplekse, veçanërisht mes hebraishtes dhe shqipes. Si ilustrim po parashtrojmë në vijim ndonjë nga çështjet morfologjike, që kanë lidhje me hebraishten dhe greqishten. Kështu, folja në hebraisht nuk e ka kategorinë gramatikore të kohës; ajo përcaktohet nga konteksti. Përcaktimi i foljeve si “e kryer” dhe “e pakryer” nuk i referohet kohës, por aspektit “të kryer” apo “të pakryer” të veprimit të emërtuar nga folja. Si rrjedhim, përkthimi i foljeve në një kohë të caktuar në shqip nuk do të thotë se kjo është koha gramatikore e foljes hebraike.
Në lidhje me emrin, në hebraisht ai nuk e ka kategorinë e rasës, por ajo shprehet zakonisht përmes parafjalëve apo një ndërtimi të veçantë. Ndërsa në lidhje me kategorinë e numrit, disa emra janë vetëm në shumës e nuk kanë njëjësin, si psh.
שָׁמַיִם [
š*m^y!m] “qiejt”,
מַיִם [
m^y!m] “ujërat”,
אֱלהִֹים [
A$l)h'm] “perënditë” etj., por kjo nuk është pasqyruar kështu në çdo rast ku shfaqen këto emra. Një përkthim i tillë do të ishte jo vetëm i gabuar, por do të krijonte edhe keqkuptime te lexuesi i painformuar. Si shembull ilustrues po përmendim këtu përkthimin e grupit emëror
עֵץ הַחַיִּים [
[email protected] h^j^yy'm] te Zan. 2:9; 3:22, 24. Emri heb.
חַי [
j^y] “jetë”, “jetëgjatësi” është përdorur në shumës, dhe një përkthim ngushtësisht i fjalëpërfjalshëm do të ishte “pema e jetëve”. Por ky përkthim, sado formalisht besnik, krijon keqkuptim te lexuesi, i cili nuk e di se shumësi është përdorur për të shprehur totalitet, pafundësi jete, jo jetë të përsëritshme apo të njëpasnjëshme! Si rrjedhim, përkthimi i saktë është “pema e jetës”.
Ndërsa për sa i përket greqishtes, ndonjë nga çështjet morfologjike që parashtrohen në përkthim janë si vijon: greqishtja e përdor mënyrën urdhërore në të kryerën e thjeshtë dhe në të tashmen (rrallë me të kryerën). Përkundër, shqipja e ka mënyrën urdhërore vetëm në të tashmen. Si rrjedhim, të gjitha foljet në urdhërore të përkthyera në shqip janë në të tashmen, pa dallim.
Një çështje tjetër ka të bëjë me format e pashtjelluara të foljes, si pjesorja, e cila është dhënë në shqip përmes përcjellores, ndërsa kur është përdorur me vlerë emërore apo mbiemërore është dhënë gjithmonë përmes ndërtimit “ai/ajo që + folje e rregullt”.
Përkthimi i rasave të greqishtes përbën një sfidë përkthimi, sepse shpesh një rase të caktuar në greqisht i përgjigjet një rasë tjetër në shqip. Kjo bëhet edhe më e komplikuar në rastin e parafjalëve, kuptimi i të cilave ndryshon (në disa raste) në varësi të rasës së emrit apo përemrit shoqërues. Meqenëse rasa është në funksion të kuptimit të parafjalës, në përkthim i është kushtuar rëndësi kuptimit të parafjalës e jo rasës së emrit/përemrit shoqërues. Si rrjedhim, nuk ka qenë e mundur që emri të jepet në rasën përgjegjëse në greqisht.
Po ashtu, e njëjta parafjalë nuk është përkthyer njëlloj në të gjitha rastet, edhe kur është e shoqëruar me një emër/përemër në të njëjtën rasë, sepse edhe përbërës të tjerë duhen marrë në konsideratë sipas rastit. Rasti më i diskutueshëm mund të jetë përkthimi i πρὸς τὸν πατέρα [pros ton patera] te 1 Gjon. 1:2 (apo πρὸς τὸν θεόν [pros ton qeon] te Gjoni 1:1). Parafjala πρός [pros] me emër në rasën kallëzore, në kuptimin e përgjithshëm tregon lëvizje ose drejtim ndaj dikujt apo diçkaje. Megjithatë, edhe çështje të tjera duhen marrë në konsideratë në përkthimin e saj, çështje si nëse ka të bëjë me një vend apo person, nëse ka të bëjë me kohë apo me qëllim, nëse ka të bëjë me marrëdhënie miqësore apo armiqësore. Në rastin konkret, Gjoni po paraqet Krishtin (si “fjala” apo si “jeta e përjetshme”), i cili në përjetësinë e shkuar ishte në raport me Personin e “Atit” apo “Perëndisë”. Pra, Gjoni nuk po tregon vend, as drejtim apo lëvizje, por marrëdhënien ekzistuese mes Krishtit dhe “Atit/Perëndisë”. Si rrjedhim, kuptimet “drejt”, “ndaj”, “te/tek” nuk janë të përshtatshme këtu, sado që secili prej tyre është i mundshëm në vetvete për parafjalën πρός [pros]. Përkundër, kuptimet “pranë” ose “me” janë ato më të përshtatshmet këtu për të shprehur afërinë dhe marrëdhënien mes dy personave të Trinisë. Si rrjedhim, është parapëlqyer që fraza πρὸς τὸν πατέρα [pros ton patera] (1 Gjon. 1:2) të përkthehet “pranë Atit” dhe πρὸς τὸν θεόν [pros ton qeon] (Gjoni 1:1) të përkthehet “pranë Perëndisë”.