Një vështrim i përgjithshëm

Një vështrim i përgjithshëm

Shkrimi i Shenjtë, Bibla, është zbulesa e Perëndisë për njeriun. Është libri i vetëm që na jep informacion të saktë për Perëndinë, për nevojën e njeriut dhe për sigurinë që jep Perëndia për këtë nevojë. Na jep udhëzime për jetën dhe na tregon se si të marrim jetën e përjetshme. Bibla mund t’i bëjë këto gjëra, sepse është Fjala e frymëzuar e Perëndisë, e pagabueshme në dorëshkrimet origjinale.

Bibla përshkruan marrëdhëniet e Perëndisë me popullin e lashtë hebre dhe kishën e hershme të krishterë. Na tregon për dhuratën e madhe të Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit, i cili i përmbushi profecitë hebraike të Mesias. Bibla na tregon për shpëtimin që Ai e kreu  nëpërmjet vdekjes së Tij në kryq, triumfin e Tij mbi vdekjen në ringjallje dhe kthimin e Tij të premtuar në tokë. Është libri i vetëm që na jep informacion të besueshëm për të ardhmen, për atë që do të ndodhë me ne kur të vdesim dhe për jetën e përjetshme.

Përkthimi i Biblës është njëkohësisht shkencë dhe art. Është një urë që sjell Fjalën e Perëndisë nga bota e lashtë në botën e sotme. Duke pasur parasysh të gjitha këto dhe duke iu nënshtruar Perëndisë, për të përmbushur këtë detyrë të shenjtë, ne paraqesim projektin PRO, një përkthim i ri në shqip i Fjalës së Perëndisë, i bazuar plotësisht në tekstet origjinale hebraike, aramaike dhe greke.

Tashmë ekzistojnë disa përkthime të Biblës në gjuhën shqipe dhe mund të mos shihet i nevojshëm një përkthim tjetër.

Bazuar nga sa më sipër, PRO synon të plotësojë nevojën për një version që mund të përdoret për një studim të thellë të Fjalës së Perëndisë. Për shkak se çdo fjalë e përkthyer lidhet me tekstet origjinale të gjuhës dhe me analizën morfologjike e leksikore, studentët shqipfolës të Shkrimit të Shenjtë do të jenë në gjendje të përfitojnë njohuri të vlefshme në të kuptuarit e tekstit, madje pa i ditur gjuhët origjinale.

Vështrim i përkthimit të ri nga origjinali

Përparimet e shpejta në kërkimet biblike ofrojnë të dhëna të reja për përkthyesit e Biblës. Kjo është quajtur epoka e informacionit, një term që saktësisht përshkruan fushën e kërkimit biblik. Asnjëherë më parë në histori nuk ka pasur aq shumë informacion në lidhje me Biblën sa sot, që nga zbulimet arkeologjike, deri tek analiza e dorëshkrimeve të lashta dhe të dhënat kërkimore mbi çdo libër. Përkthyesit do të marrin në konsideratë sa më shumë të dhëna të reja të jetë e mundur.

Zhvillimet në teknologjinë kompjuterike kanë hapur një derë të re për përkthimin e Biblës. Ky projekt po përdor teknologjinë kompjuterike dhe telekomunikacionin ndoshta më shumë se çdo përkthim shqip deri më tani. Ekipi i programuesve, përkthyesve dhe redaktorëve bashkëpunon drejtpërdrejt dhe online, ku mundësohet një proces i plotë i kontrollit dhe rikontrollit për një saktësi sa më të madhe. Një program i përparuar teknologjik është krijuar për të rishikuar përkthimin në çdo hap të punës.

Vështrim mbi teknologjinë e përdorur për projektin

Të gjithë përkthyesit dhe redaktorët po punojnë sipas udhëzimeve të mëposhtme:

  • Të përkthehet me saktësi, pa hequr, ndryshuar ose shtuar kuptimin e tekstit origjinal. Përmbajtja e përkthyer të komunikojë me besnikëri sa më saktë të jetë e mundur kuptimin e fjalëve të tekstit origjinal, siç do të ishte kuptuar nga dëgjuesit e atëhershëm.
  • Të përdoren struktura gjuhësore të nevojshme për të arritur nivelin më të lartë të të kuptuarit, pa ndryshuar strukturën e fjalisë dhe duke sqaruar detajet në dritaren e shënimeve, kur është e nevojshme.
  • Të përdoren forma gjuhësore që pasqyrojnë mënyrën se si përdoret gjuha shqipe në kontekstet përkatëse.
  • Të shmanget çdo paragjykim politik, denominacional, ideologjik, shoqëror, kulturor ose teologjik në përkthim. Të përdoren terma që janë besnikë ndaj fjalorit të gjuhëve origjinale biblike. Këto të sqarohen, sipas nevojës, tek shënimet ose burimet e tjera shtesë. Një pune krahasimore po bëhet ndërmjet teksteve të botimeve standarde, si Teksi Mazoretik dhe Septuaginta apo TR, Nestle-Aland etj., për të arritur në një saktësi sa më të madhe të tekstit që përkthehet.
  • Të komunikohen me saktësi ngjarjet historike dhe faktet, duke siguruar informacion shtesë, sipas nevojës, për të komunikuar me saktësi mesazhin e synuar për lexuesit të cilët nuk kanë të përbashkët të njëjtin kontekst dhe kulturë me ata që jetonin në kohën kur u regjistruan ato.
  • Të komunikohet synimi i njëjtë si tek teksti origjinal, duke përfshirë shprehjen e ndjenjave dhe qëndrimeve. Sa më shumë që të jetë e mundur, të ruhen llojet e ndryshme të letërsisë i në tekstin origjinal, duke përfshirë tregimin, poezinë, profecinë etj., duke i përkthyer ato me forma që përkojnë në shqip.

Disa nga qëllimet e këtij përkthimi janë:

  • t’u sigurojë të gjithë shqiptarëve në mbarë botën një përkthim të saktë të Biblës në gjuhën bashkëkohore shqipe.
  • të pajisë studentët seriozë të Biblës me një përkthim të saktë për studimin, përkushtimin personal dhe të mësuarit përmendësh të tekstit.
  • t’u sigurojë atyre që e duan Fjalën e Perëndisë një tekst që mundëson studimin e fjalëve dhe të gramatikës, duke zvogëluar nevojën për mjete shtesë.
  • të ofrojë një Bibël studimi për gjithë shqiptarët, me të gjithë analizën gramatikore e leksikore në shqip dhe për ta bërë këtë lehtësisht të arritshme për këdo në një format të ndërtuar online dhe të printuar.
  • të afirmohet autoriteti i Shkrimit si Fjala e Perëndisë dhe të mbrojë të vërtetën e tij absolute kundër planeve shoqërore ose kulturore, që do të rrezikonin saktësinë e tij.
  • t’u mundësohet përkthyesve të ardhshëm të versioneve të tjera shqip që të sjellin përkthime më të sakta dhe të përpikta.

Ndaje me të tjerë

Postime të tjera