Varianti Standard

Imazh pershkruesh per postimin e variantit standard.

Varianti standard paraqet përkthimin në shqipen e sotme në përputhje me normat gramatikore të standardizuara. Por në përkthim është shfrytëzuar edhe fondi leksikor dialektor dhe tradita përkthimore ekzistuese në Shqipëri, kur është vlerësuar se ajo i përgjigjet më saktë origjinalit.

Në ndryshim nga varianti interlinear, këtu janë shtuar fjalë që nuk gjenden në tekstin origjinal, por që janë të domosdoshme për kuptimin dhe strukturën e fjalisë në shqip. Gjithsesi, në çdo rast kjo është bërë e qartë duke i vendosur fjalët në të pjerrët për identifikim. Përkthyesit kanë qenë të ndërgjegjshëm për ekonominë e fjalëve, e si rrjedhim janë përpjekur që të pakësohet sa më shumë futja e fjalëve që nuk pasqyrohen në tekst.

Në ato raste kur fjalët kanë më shumë sesa një kuptim të mundshëm në tekst, apo kur përkthimi standard ndryshon ndjeshëm nga origjinali, sepse një përkthim ngushtësisht fjalë për fjalë është i pavend apo i papranueshëm në shqip, përkthyesit e kanë pasqyruar këtë përmes një shënimi në fund të faqes. Kështu psh., Zan. 2:16, 17; 3:4; 1 Gjon. 2:1; 4:9; 5:16. Ndërsa në raste të tjera, kur përkthimi shpreh saktësisht kuptimin e një ndërtimi idiomatik, por jo duke e ndjekur atë fjalë për fjalë, nuk është parë e nevojshme të vihet në dukje me shënim. Psh. te 3 Gjon. 14, përkthimit ndajfoljor “gojarisht” i korrespondon në greqisht idioma στόμα πρòς στόμα [stoma pros stoma] “gojë për gojë”. Ose te Zan. 2:17, ku Perëndia e urdhëron njeriun për të mos ngrënë nga pema e njohjes të së mirës dhe së keqes, shprehja לֹא תֹאכַל מִמֶּנּוּ [lō’ ṯō’ḵal mimme- nnȗ] “nuk do të hash nga ajo” është përkthyer “mos ha nga ajo”, sepse hebraishtja nuk e përdor foljen në urdhërore për të shprehur urdhërim ndalues, përkundër shqipja e shpreh ndalimin me folje në urdhërore të paraprirë nga pjesëza mohuese “mos”.

Një aspekt tjetër kryesor në lidhje me specifikat e standardit, ka të bëjë me rendin e fjalëve në fjali. Përpjekje maksimale janë bërë që rendi i fjalëve në shqip të ndjekë sa më shumë atë të origjinalit, meqenëse shqipja ka përgjithësisht rend të lirë të fjalëve. Megjithatë, një pasqyrim i rendit të fjalëve të origjinalit në mënyrë formale nuk mund të konsiderohet patjetër një arritje apo një përkthim i mirë. Prandaj, në përkthim fjalitë nuk pasqyrojnë gjithmonë rendin e fjalëve të tekstit origjinal, qoftë sepse diçka e tillë s’ka qenë e mundur, apo qoftë sepse rendi i fjalëve në shqip, edhe pse formalisht i ngjashëm me atë të rendit në origjinal, nuk shpreh të njëjtin kuptim. Përkundër, në rastet kur është konstatuar se autori me qëllim thekson një fjalë, duke i ndryshuar vendin në fjali e duke u larguar nga stili i tij i përgjithshëm i rendit të fjalëve, është parapëlqyer që kjo të pasqyrohet në përkthim, edhe pse leximi mund të rezultojë jo i rrjedhshëm. Por është synuar, gjithsesi, një përkthim që mundëson një lexim të rrjedhëm në shqip.

Në rastet kur ka pasur paqartësi në tekst, është synuar që përkthyesit të mos mbajnë qëndrim të njëanshëm, por t’ua lënë lexuesve dhe komentuesve interpretimet e mundshme. Kështu, te Zan. 1:14, emri heb. מוֹעֵד [mô‘ēḏ] ka kuptimet “kohë e caktuar”, “kohë e përshtatshme”, por edhe kuptimin më specifik “kohë festimi/ kremtimi”. Në përkthim është lënë kuptimi më i përgjithshëm “kohë e caktuar”, por është shënuar si mundësi edhe varianti tjetër.

Përkthimi standard paraqet edhe disa specifika të tjera, që lidhen me faktin se librat e Biblës janë shkruar në gjini të ndryshme letrare, të cilat mund të kategorizohen përgjithësisht si prozë narrative (apo rrëfim), poezi dhe prozë argumentuese (letrat apostullore). Përkthyesit janë të ndërgjegjshëm se përkthimi besnik ndaj origjinalit do të thotë edhe ndjeshmëri ndaj gjinisë letrare të tekstit. E kjo nuk është një çështje dytësore në përkthimin e Biblës, sepse besimi që Perëndia ka frymëzuar autorët e Shkrimit të Shenjtë të hedhin me shkrim fjalët e Perëndisë, përfshin edhe formën letrare – Perëndia i ka frymëzuar këta autorë që ta përdorin një formë të caktuar për të shprehur atë që kanë dashur të thonë. Kjo do të thotë se besnikëria ndaj origjinalit dhe respektimi i frymëzimit hyjnor të tekstit duhet të përfshijë edhe pasqyrimin e gjinisë letrare të tekstit origjinal përmes mjeteve që ai përdor. Megjithatë, jo rrallë aspekte të gjinive letrare të Biblës janë lënë pas dore në favor të një trajtimi uniform të teksteve apo të “modernizimit” të tyre, duke i zhveshur nga çdo gjë që tingëllon arkaike e jo në përputhje me pritshmëritë e sotme të stilit letrar. Përkundër, Bibla PRO synon të ndjekë nga afër dhe të pasqyrojë sa më shumë të jetë e mundur aspektet karakterizuese të gjinive letrare biblike. Kështu, në vijim po paraqesim disa aspekte që kanë të bëjmë me rrëfimin hebraik dhe pasqyrimin e tyre në përkthim. Nuk do të merren në konsideratë aspekte të poezisë hebraike.

Aspekti ndoshta më tipik i rrëfimit hebraik është parataksa (renditja e fjalëve në fjali paralele me bashkërenditje të lidhura me lidhëzën “dhe”). Në përkthimet moderne kjo është zbehur (në mos është zhdukur), duke mos e përkthyer lidhëzën hebraike ו [wāw] apo lidhëzat greke καί [kai] dhe δέ [de]. Arsyetimi pas një qëndrimi të tillë është se parataksa nuk paraqet një stil të pëlqyeshëm letrar në gjuhët e sotme, por nuk mbahet parasysh fakti se në përkthimin e teksteve biblike kemi të bëjmë me një lloj letërsie antike që ka mënyrat e veta të të shprehurit e jo me letërsinë e shkruar në shek. XX apo XXI. Stili narrativ hebraik funksionon përmes fjalish me bashkërenditje ritmike e jo me fjali të nënrenditura. Si rrjedhim, në këtë përkthim parataksa pasqyrohet plotësisht, por duke shfrytëzuar mundësitë që jep shqipja për ta përkthyer me “dhe”, “e”, “edhe”, sipas rastit.

Një përbërës tjetër i narrativës biblike është përsëritja e një fjale apo ndërtimi. Edhe ky përbërës është zbehur në përkthimet moderne, ose duke e zëvendësuar fjalën e përsëritur me një fjalë tjetër sinonime, apo edhe duke e hequr fare. Psh., te Zan. 1:6 kemi dy herë të përdorur foljen הָיָה [hāyāh] “të jesh”. Përkthimet aktuale në shqip e kanë hequr fare foljen që përsëritet, duke dhënë përkthimin: “Dhe Perëndia tha: ‘Le të bëhet/le të jetë një kupë/kube mes ujërave dhe le të ndajë/ që të ndajë ujërat nga ujërat”. Ky përkthim, që mund të konsiderohet i saktë nga ana kuptimore, ka zbehur ritmin që synon të japë teksti përmes përsëritjes së një fjale dhe theksimin që synon të përçojë. Përkthimi i ri përpiqet ta pasqyrojë këtë përmes përkthimit: “Dhe Perëndia tha: ‘Të jetë një kupë në mes të ujërave, dhe të jetë për të ndarë ndërmjet ujërave dhe ujërave’”.

Megjithatë, ky parim nuk është ndjekur kur përsëritja e një fjale krijon probleme kuptimore në shqip. Psh. te Zan. 1:7 fjala heb. בּין [bên] “ndërmjet” përsëritet 2 herë (si në shumicën e rasteve ku kjo përdoret në DhV hebraisht) për të treguar intervalin apo hapësirën mes dy pikave apo skajeve. Por në shqip kjo nuk mund të jepet duke e përsëritur, sepse jep një kuptim krejt tjetër nga origjinali (“Dhe Perëndia… ndau ndërmjet ujërave që ishin poshtë kupës dhe ndërmjet ujërave që ishin sipër kupës.”). Si rrjedhim, në rastin e dytë nuk është dhënë në përkthim (“Dhe Perëndia… ndau ndërmjet ujërave që ishin poshtë kupës dhe ujërave që ishin sipër kupës.”).

Mjete letrare, si aliteracioni apo rima, janë mjaft të shpeshta në narrativën hebraike dhe janë sfida më e madhe për përkthyesit e Biblës. Fatkeqësisht, në shumë raste pasqyrimi i tyre nuk është i mundur, megjithatë është e papranueshme që të mos bëhen përpjekje për ta pasqyruar atë në shqip, atëherë kur është e mundur. Kështu, në vargun e dytë të Zanafillës kemi rimë në emrat תֹהוּ וָבֹהוּ [tōhû wāḇō- hû], të përkthyer përgjithësisht si “pa trajtë dhe e zbrazët” apo “e shkretë dhe e zbrazët”. Në këtë përkthim është synuar të jepet kuptimi i termave dhe rima e emrave, duke e dhënë me: “asgjësi e zbrazësi”.

Së fundi, në përkthimin e disa formave foljore është bërë përpjekje që të tregohet ndjeshmëri ndaj stilit hebraik të rrëfimit, duke e pasqyruar mundësisht me pasurinë shprehëse të stilit narrativ të shqipes. Psh. Zan. 1:3 וַיֹּאמֵר אֱלֹהִים יְהִי אוֹר וַיְהִי־אוֹר [wayyōmer ’ělōhîm yehî ’ôr wayhî-’ôr] është përkthyer përgjithësisht në shqip: “Dhe Perëndia tha: ‘u bëftë/ le të bëhet drita!’ Dhe drita u bë”. Ky përkthim nuk është i gabuar (përveçse përkthen emrin e pashquar “dritë” si të shquar), sepse folja heb. הָיָה [hāyāh] ka edhe kuptimin “të bëhet” dikush/diçka apo “të ndodhë” diçka/një ngjarje/një fenomen. Por kuptimi i parë i foljes הָיָה [hāyāh] është “të jesh”, dhe në këtë kontekst krijimor, ku asgjë nuk ishte ende, folja mbart kuptimin e “të ardhurit në ekzistencë” të dritës e jo aq “të bërit” e saj, për të cilën hebraishtja përdor foljen עָשָׂה [‘āśāh] dhe që autori e përdor në vijim për të treguar krijimin e përbërësve lëndorë. Kështu, në v. 7a dhe v. 16a, shprehjet paralele “Dhe Perëndia bëri (עָשָׂה [‘āśāh])…” tregojnë mënyrën e përmbushjes së deklarimeve përkatëse të Perëndisë në vargjet 6a dhe 14a “Dhe Perëndia tha: ‘Të jetë (יְהִי [ye])…’”. Por në krijimin e dritës kjo folje nuk përdoret. Drita nuk “bëhet”, si përbërësit e tjerë të krijimit; ajo thjesht shfaqet, vjen në ekzistencë sapo Perëndia flet. Kjo është shprehur përmes përkthimit “Dhe Perëndia tha: ‘Të jetë dritë!’ Dhe qe dritë”.

Në përfundim, në punën përkthimore të Biblës PRO, një konsultim i vazhdueshëm u është bërë përkthimeve ekzistuese në shqip, duke filluar me përkthimet e Kristoforidhit, në dy variantet e tij gegërisht dhe toskërisht, e deri te përkthimet e sotme. Kisha shqiptare tashmë ka një traditë të përkthimit biblik që duhet konsideruar dhe konsoliduar. Kështu, janë rikthyer terma me ngjyrim fetar, por që janë hequr nga përdorimi gjatë sistemit komunist, si “shkandull” dhe “shkandulloj” për emrin σκάνδαλον [skandalon] (1 Gjon. 2:10) dhe foljen σκανδαλίζω [skandalizō]. Po ashtu, janë ruajtur përcaktimet “shpirt” dhe “frymë”, ashtu si janë dhënë fillimisht nga Kristoforidhi, për të dalluar në përkthim përkatësisht termat נֶפֶשׁ [nepeš] e ψυχή [psuchē] nga termat רוּחַ [rȗaḥ] e πνεῡμα [pneuma]. Po ashtu është mbajtur emërtimi “Fryma e Shenjtë” për Personin e tretë të Trinisë.

Por si çdo përkthim, që nuk është kurrë i përsosur dhe ka nevojë të rishikohet apo të pasurohet, kështu edhe PRO në disa raste ndryshon nga përkthimet e mëparshme, në përpjekjen për të qenë sa më besnik me origjinalin dhe me standardin e sotëm të gjuhës shqipe. Risia më e madhe që vjen përmes Bilës PRO është se emri i Perëndisë së Izraelit (יהוה [YHWH]) do të pasqyrohet në përkthim përmes shqiptimit “Jahveh”, ndryshe nga përkthimet e deritanishme që e kanë dhënë me “ZOT”. Kjo jo vetëm se besnikëria ndaj origjinalit hebraisht nuk mund ta përjashtojë emrin e Perëndisë, por edhe se termi “Zot” nuk është emri i Perëndisë, por është titull që shpreh vetëm atribut.

Risi të tjera domethënëse përfshijnë përkthimin e foljes שָׁבַת [šāḇaṯ] si “reshti” e jo “pushoi” (Zan. 2:12); përkthimin e emrit צֵלָע [ṣēlā‘] si “anë” e jo si “brinjë” (Zan. 2:21-22); përkthimin e emri ἱλασμός [hilasmos] si “shlyerje pajtuese” (1 Gjon. 2:2); përkthimin e δοῡλος [doulos] si “skllav” e jo si “shërbëtor”; përkthimin e παράκλητος [parakletos] si “përkrahës” (Gjoni 14:16, 26; 15:26; 16:7; por “mbrojtës te 1 Gjon. 2:1).

Si mbyllje, ky model i ofrohet kishës shqipfolëse me shpresën se do të jetë një kontribut i mëtejshëm dhe i vlefshëm për të sjellë Fjalën e Perëndisë sa më qartë dhe besnikërisht dhe si një shijim paraprak i botimit në të ardhmen e afërt të të gjithë Dhiatës së Re dhe Psalmeve në variantet interlinear dhe standard.

Soli Deo Gloria


Ndaje me të tjerë

Postime të tjera

  • Analiza morfologjike e fjalës

    Analiza morfologjike e fjalës

    Analiza morfologjike ndihmon në kuptimin e fragmenteve të ndryshme në Bibël dhe në kuptimin e mesazhit të ungjillit.

    më shumë


  • Një vështrim i përgjithshëm

    Një vështrim i përgjithshëm

    Bibla PRO synon të plotësojë nevojën për një version që mund të përdoret për një studim të thellë të Fjalës së Perëndisë.

    më shumë