Emri i Krishtit në shqip

Emri i Krishtit në shqip

Me përkthimin e Shkrimit të Shenjtë në shqip fillon edhe historia e gjuhës shqipe të shkruar. Teksti i parë i plotë i shkruar në shqip, Meshari i Gjon Buzukut (1555), përmban pjesë nga Bibla, por kjo nuk do të thotë se krishterimi nuk është më i hershëm ndër shqiptarë. Arkeologët dhe historianët e datojnë atë që prej viteve të para të përhapjes së krishterimit. Duke qenë kështu, në shqip kemi një traditë gojore të termave të krishterë më të hershme dhe një traditë shkrimore, më të vonë. Edhe për shkak të historisë së ndërlikuar të krishterimit në trojet shqiptare (deri me ndalimin e feve në gjysmën e dytë të shek. XX), mund të themi se tradita gojore dhe ajo e shkruar kanë bërë udhë të ndryshme.

Një emër që nuk mund t’i shpëtojë traditës jetëgjatë është edhe ai i Krishtit. Edhe ky emër shfaq një dukuri interesante në pamje të parë dhe shfaq edhe një luhatje në lidhje me formën e tij të përdorimit për shkak të kësaj tradite, që ka sjellë një liri të pazakontë në shqip për përkthyesit.

Emri qendror i Dhiatës së Re dihet se shfaqet në tekst:

  1. herë me formën e zakonshme në shqip të emrit të përveçëm të njeriut (emër e mbiemër/llagap; name/surname), pra “Jezu Krishti” (ku i pari, meqë është mashkullor duhet të jetë në të pashquar, “Jezu/Jezus”) dhe i dyti në të shquar (pra, “Krishti”, dhe jo “Krisht”);
  2. herë me rendin e përmbysur të emrit të plotë, pra “Krishti Jezu/s”;
  3. herë më vete emri i parë, “Jezusi”, ose i shoqëruar me “Zoti”, pra “Zoti Jezus/Jezu”;
  4. herë më vete emri i dytë, “Krishti”. Për këtë të fundit, të gjitha përkthimet janë të njësuara.

Përkthimet e sotme të shqipes, që merren në analizë për të dhënat e mësipërme dhe që mbahen parasysh përgjatë procesit të përkthimit të Biblës PRO, janë:

  • “Shkrimi shenjt: Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re”, përktheu dhe shtjelloi dom Simon Filipaj, “Drita”, Ferizaj, 1994 (do t’i referohen shpesh studiuesit si përkthimi DSF)
  • “Bibla e studimit”, Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë, 2009 (referuar si përkthimi ABS)
  • “Bibla: Shkrimi i shenjtë”, përkthimi “Së Bashku”, Tiranë, 2020, botuar nga Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë (referuar si “Së bashku)
  • “Dhiata e Re”, përktheu Vladimir Dervishi, Christian Heritage College, 2000.
  • Bibla, “Besëlidhja e re”, përkthimi Zëri i Zotit, përkthyes Marsel Shtainer, ShIB, Tiranë, 2017

Përfshihen në këtë analizë edhe përkthimet e Konstantin Kristoforidhit, të Dhiatës së Vjetër në toskërisht (“Dhjata e re në krahasim”, ABS, botimi 2005, sipas përkthimit të 1866) dhe në gegërisht (paraqitur me alfabetin e sotëm nga prof. Xhevat Lloshi, Prishtinë 2017, përkthimi i vitit 1872).

Kryesisht të gjitha këto përkthime (7 të tilla) ndahen në tri grupe:

  1. Përdoret emri “Jezu” edhe kur përdoret më vete (Jezui, Zoti Jezu, i,e Jezuit/Jezuin), edhe kur përdoret me “Krishti”, pra “Jezu Krishti”. Vendos kështu Përkthimi Së Bashku, por edhe Kristoforidhi. Zgjedhin të përdorin formën “Jezu” dhe kur rendi është i përmbysur, pra “Krishti Jezu”.
  2. Përdoret emri “Jezus”, edhe më vete, edhe së bashku me “Krishtin”. Pra, “Zoti Jezus”, “Jezus Krishti”, “Krishti Jezus”. Vendos kështu Vladimir Dervishi.
  3. Përdoret më vete “Jezus”, së bashku “Jezu Krishti”, por në rendin e përmbysur “Krishti Jezus”. Vendos kështu Dom Simon Filipaj, ABS, “Zëri i Zotit”.

Sipas kësaj zgjedhjeje të fundit – pra ruhet S e temës në emrin “Jezus” kur përdoret më vete dhe pas “Krishti” – po shkon edhe përkthimi Bibla PRO me këto argumente:

  1. për të shkuar me formën gramatikore të emrave mashkullorë të shqipes, që mbarojnë përgjithësisht me bashkëtingëllore (Arben, Dritan, Gjon, Mark, Ilir, Stefan etj.);
  2. për të shmangur hiatusin1 që krijohet në lakim te “Jezui”, “Jezuit”, si formë e panatyrshme për shqipen;
  3. për të shmangur edhe homoniminë me “jezuìt”2 (theksi tek i-ja).
  4. Nuk është i natyrshëm për shqipen emri i përveçëm mashkullor që mbaron me zanore të theksuar, për më tepër me “U”, pra “Jezù”. Për këtë arsye shmanget edhe “Krishti Jezù” në të mirë të “Krishti Jezus”.

Kjo formë bëhet edhe më e pazakontë me një dukuri tjetër që përhapet në shqipe nën ndikimin e anglishtes me zhvendosjen e theksit në rrokjen e parë të fjalës, pra “Jèzus”. Në të dyja rastet, mungesa e S-së fundore e lë fjalën fonetike të paplotë3.

Kur përdoret bashkë me “Krishti”, do të përqafohet trajta tradicionale, pa S, pra “Jezu Krishti”, forma më e përhapur në përkthimet e sotme (sipas kësaj shkojnë të gjitha përkthimet, me përjashtim të V.Dervishit)4. Gjuhëtari në fjalë ka vendosur të përdorë koherencën e rregullit gramatikor, duke e shmangur traditën.

Pse kjo luhatje sot në gjuhën shqipe për një emër të përhapur kaq herët në shqipe? Ndoshta për shkak se Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe i vitit 1972 normativizon vetëm shkrimin e fjalës “Krishti”5, por nuk e përmend emrin “Jezus/Jezu” te ndonjë kapitull që mund të lidhej me emrin në fjalë, si ai i drejtshkrimit të “disa tipa fjalësh me prejardhje të huaj dhe emrash të përveçëm të huaj”, kapitulli III i drejtshkrimit. Këtu, në fakt, përmendet vetëm fjala “jezuit”.

Çdo përkthim i ri i Shkrimit të Shenjtë në shqip duhet të marrë parasysh gjithë mundin dhe frytet e punës shumëshekullore, që nis me shkrimin e vetë shqipes, dhe, nga ana tjetër, duhet të marrë parasysh edhe zhvillimet e natyrshme të shqipes si gjuhë e gjallë. Duke iu bashkuar dy përkthimeve ndër më të përhapurat sot, të përkthimit ABS dhe të Dom Simon Filipajt, Bibla PRO synon edhe ngulitjen e përdorimit tradicional, edhe respektimin e natyrës së shqipes.


1 Vështirësia që krijohet në shqiptim për shkak të bashkimit të dy zanoreve që vijnë njëra pas tjetrës dhe që nuk i takojnë së njëjtës rrokje.

2 Murg i urdhrit katolik të quajtur “Shoqata e Jezuit”: kuvendi i jezuitëve. (Fjalori i gjuhës shqipe, 2006)

3 Provo të shqiptosh në një fjali togun “Krishti Jèzu”, me theks tek e-ja.

4 Nuk mund të merret në shqyrtim në këtë vlerësim përkthimi ECM (botimi i vitit 2000, botimi i parë 1993), për shkak se nuk përdor asnjëherë fjalën “Krishti”, por “Mesia”.

5 Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973, Rregulli 75, f.146.

Ndaje me të tjerë

Postime të tjera